Një denoncim shqetësues ka ngritur alarmin për sigurinë e fëmijëve në disa zona periferike të Tiranës, ku raportohet për persona të panjohur që u afrohen të miturve.

    Sipas një qytetareje, në disa fshatra të kryeqytetit janë parë gra të huaja me shami, të cilat tentojnë të komunikojnë me fëmijët dhe t’i bindin të shkojnë me to.

    Ajo tregon se rastet janë përsëritur për disa ditë radhazi, ndërsa dy fëmijë të moshës 10-12 vjeç kanë arritur të largohen me vrap pasi janë ndjerë të rrezikuar.

    Sipas dëshmisë, personat fillimisht u kanë folur në një gjuhë të huaj dhe më pas në anglisht, duke tentuar t’i tërheqin në bisedë.

    Situata bëhet edhe më shqetësuese pasi, sipas denoncimeve, këta individë janë parë edhe pranë shkollave, duke rritur ndjeshëm frikën tek prindërit dhe fëmijët.

    Raste të ngjashme janë raportuar edhe më herët, ku qytetarë kanë ngritur dyshime për tentativa për t’i afruar fëmijët pranë automjeteve, ndërsa në disa raste personat janë larguar sapo kanë vënë re se po vëzhgoheshin.

    Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përkatëse, çka ka shtuar edhe më shumë pasigurinë tek komuniteti.

    Prindërit kërkojnë transparencë dhe masa konkrete, ndërsa këshillohet kujdes i shtuar për fëmijët, sidomos gjatë lëvizjeve pranë shkollave dhe në rrugë.