Zyrtarë të lartë amerikanë kanë lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke i dhënë Teheranit një afat prej 24 deri në 48 orë për t’u dorëzuar dhe për të shmangur një ofensivë të mundshme ushtarake të përmasave të mëdha nga Shtetet e Bashkuara.

    Burime nga Shtëpia e Bardhë konfirmojnë se këto dy ditë janë vendimtare për të përcaktuar nëse ka hapësirë për një zgjidhje diplomatike, apo nëse situata në Lindjen e Mesme do të përshkallëzohet në një konflikt të drejtpërdrejtë.

    Presidenti Donald Trump ndezi alarmin me një mesazh në platformën e tij “Truth Social”, duke deklaruar:

    “E di ku fshihet Ali Khamenei. Por nuk do të godas… ende. DORËZIM I PAKUSHTËZUAR!”

    Paralelisht, zyrtarë izraelitë kanë lëshuar sinjale për një “surprizë ushtarake” që mund të ndodhë të enjten në mbrëmje, e ngjashme me goditjet e befasishme ndaj drejtuesve të Hezbollahut në të kaluarën.

    Në Uashington, Trump ka zhvilluar disa mbledhje urgjente me këshilltarët e sigurisë kombëtare. Sipas burimeve të ABC News, presidenti është “gjithnjë e më i zemëruar” me qëndrimin e Iranit që prej fillimit të bombardimeve izraelite.

    Ndërkohë, SHBA ka kaluar në një “pozicion mbrojtës” në rajon, duke zhvendosur anije luftarake dhe avionë në pozicione strategjike pranë Iranit, në gatishmëri për çdo skenar të mundshëm ushtarak.