Një ngjarje rrëqethëse ka prekur thellë Greqinë dhe Shqipërinë. Dy fëmijë, 14-vjeçari grek Spiros dhe 12-vjeçari shqiptar Kleon, u shpëtuan nga ujërat e lumit Arahtho në Arta nga një emigrant shqiptar – por fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, të dy u shpallën klinikisht të vdekur.

    Në vendin e ngjarjes, shokët e tyre lanë lule dhe letra me mesazhe zemre: “Do ju kujtojmë gjithmonë, ikët si heronj”.

    Historia e tyre është një shembull i rrallë guximi dhe solidariteti. Spiros tentoi të shpëtonte Kleonin që po merrej nga rrjedha e lumit, por të dy humbën jetën.

    Në skenë ndërhyri Goga Levian, një emigrant shqiptar nga Berati, i cili u hodh pa hezitim në ujë dhe arriti t’i nxirrte fëmijët nga thellësia. Akti i tij është vlerësuar gjerësisht nga mediat greke.

    Por ajo që e ktheu këtë tragjedi në një mesazh shprese, ishte vendimi i prindërve për të dhuruar organet e fëmijëve të tyre, për të shpëtuar jetë të tjera. Babai i Kleonit përloti të gjithë opinionin publik me fjalët e tij:

    “Zemra e djalit tim mbeti në Greqi. Kur të mësoj kush e mori, le të bëjë mbi të shqiponjën e Shqipërisë.”

    Ndërsa nëna e tij shtoi:

    “Gjithë Greqia e ndjeu dhimbjen tonë. Faleminderit nga zemra.”

    Drejtori i Reanimacionit në spitalin e Patras, Andreas Iliadhis, tha me lot në sy:

    “Zemrat nuk kanë ngjyrë. Kleoni dhe Spiros hapën flatrat për të shpëtuar jetë të tjera.”

    Ky është një tregim që tejkalon kombësi e kufij. Një dëshmi prekëse se në dhimbje, njerëzimi bashkohet përtej çdo dallimi.