Një situatë kaotike është regjistruar në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, gjatë “dasmës” simbolike të organizuar për Selinën dhe Gimbon. Ajo që nisi si një moment festiv për banorët, përfundoi në tension dhe reagime të forta.

    Gjatë festës, Rogerti është parë duke ndërhyrë në mënyrë të papritur, duke rrëzuar tortën e dasmës dhe duke shkulur dekorimet me lule që ishin vendosur për ceremoninë. Pamjet tregojnë se situata doli shpejt jashtë kontrollit, ndërsa banorët e tjerë mbetën të habitur nga veprimet e tij.

    Në video shihet se Miri dhe Juela përpiqen ta ndalojnë, duke i kërkuar të qetësohet, por Rogerti nuk ndalet dhe vazhdon të prishë dekorimet dhe ushqimet e vendosura për festën.

    Ky moment është bërë menjëherë viral në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar shumë reagime nga publiku. Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje janë komentet e ndjekësve, të cilët theksojnë se dekorimet, ushqimet dhe torta ishin pjesë e sponsorëve të programit.

    Për këtë arsye, shumë komentues kanë kritikuar ashpër veprimin e Rogertit, duke kërkuar që produksioni të marrë masa disiplinore. Në rrjet kanë nisur edhe thirrje për “zarf të zi”, pasi sipas tyre është shkelur respekti ndaj sponsorëve që mbështesin spektaklin.

    Mbetet për t’u parë në Prime-in e radhës nëse produksioni i Big Brother VIP Albania do ta trajtojë këtë incident dhe nëse do të ketë pasoja për veprimet e Rogertit. Ndërkohë, videoja vazhdon të qarkullojë me shpejtësi në rrjet, duke ndezur debate të shumta mes ndjekësve të formatit.