Një video e publikuar së fundmi nga Benjamin Netanyahu ka ndezur një debat të madh në rrjetet sociale. Në pamjet që u shpërndanë gjerësisht në internet, kryeministri izraelit shihet duke ironizuar mediat dhe përdoruesit që përhapën lajme se ai kishte ndërruar jetë.

Në video, Netanyahu shfaqet duke bërë shaka me situatën dhe duke thënë se është gjallë. Në një moment ai thotë me humor: “Jam gjallë”, ndërsa më pas numëron edhe gishtat para kamerës, si përgjigje ndaj teorive që qarkulluan në rrjet për pamjet e mëparshme ku disa pretendonin se dora e tij dukej e pazakontë.

Megjithatë, videoja nuk ka qetësuar rrjetin. Përkundrazi, shumë ndjekës kanë nisur të analizojnë detaje të ndryshme dhe të krahasojnë pamjet me fotografitë e vjetra të liderit izraelit. Disa përdorues pretendojnë se forma e veshit dhe e hundës në profil duket ndryshe nga ajo në fotot e mëparshme të Netanyahut.

Një tjetër detaj që ka ngritur dyshime lidhet me unazën në gisht. Sipas disa ndjekësve që kanë analizuar videon, në një moment Netanyahu shfaqet me unazë, ndërsa pak sekonda më vonë ajo nuk duket më në gisht, gjë që ka bërë që disa persona të dyshojnë për manipulim të pamjeve.

Për shkak të këtyre detajeve, një pjesë e përdoruesve në rrjet kanë hedhur teorinë se videoja mund të jetë krijuar ose manipuluar me inteligjencë artificiale, megjithëse deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë pretendim.

Debati vazhdon të shpërthejë në rrjetet sociale, ndërsa videoja po analizohet nga mijëra përdorues që përpiqen të zbulojnë nëse pamjet janë reale apo të krijuara me teknologji të avancuar.