Mbrëmjen e së shtunës, në finalen e madhe të Big Brother VIP 4, ishte Gjesti ai që u shpall fitues i çmimit të madh prej 100 mijë eurosh.
Por menjëherë pas fitores, në rrjet nisën komentet dhe diskutimet për shumën e plotë që ai përfitoi. Arsyeja?
Vendimi i tij për të dalë nga shtëpia nëpërmjet murit rrethues, një veprim që asokohe u shoqërua me një penalizim: nëse Gjesti do të shpallej fitues, do të merrte vetëm gjysmën e çmimit, pra 50 mijë euro.
Ky detaj u rikujtua nga disa ndjekës të programit, por jo nga ata më të vëmendshëm. Në fakt, më vonë gjatë lojës, Ola hapi një nga kutitë e emergjencës, ku ndodhej një mesazh i rëndësishëm: çmimi i madh prej 100 mijë eurosh rikthehej për të gjithë banorët, me përjashtim të Eglit dhe Jozit, të cilët ishin larguar dhe më pas ishin rikthyer në shtëpi.
Kështu që, pavarësisht penalizimit fillestar, Gjesti e fitoi të drejtën për të marrë të gjithë shumën – dhe me plot 100 mijë euro në xhep, ai la shtëpinë si triumfuesi i këtij edicioni.