Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Gjakova, ku një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur pas të shtënave me armë zjarri.

Sipas informacioneve të para, viktima është Rasim Binakaj, 38 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. 

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në një lokal në zonën e Çarshisë së Vjetër, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. 

Detaji që e ka bërë këtë rast edhe më të komentuar në media është fakti se viktima rezulton të jetë xhaxhai i ish-finalistes së Big Brother VIP Kosova, Elijona Binakaj. 

Lidhja familjare është konfirmuar nga kërkimet në rrjetet sociale dhe nga raportimet e mediave lokale, ku shihet se i ndjeri kishte edhe fotografi me familjarët e ish-banorës së reality-show-t. 

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat dhe për të kapur personin e dyshuar për krimin. 

Rasti është cilësuar si vrasje e rëndë, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar motivet dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë incident tragjik.