Pamjet tronditëse të një ngjarjeje që preku zemrat e shqiptarëve janë publikuar për herë të parë. Ato i përkasin tragjedisë së 18 nëntorit 2024, kur 14-vjeçari Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” në Tiranë, u vra me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj.
Ngjarja ndodhi në mes të ditës, vetëm disa metra larg shkollës, pas një përplasjeje fizike mes disa adoleshentëve. Krimi i rëndë tronditi një komunitet të tërë dhe ngjalli kërkesa të forta për drejtësi.
📹 Pamjet e publikuara për herë të parë
Videot, të siguruara nga gazetari Eraldo Harilcaj, tregojnë momentet kritike para dhe pas aktit tragjik. Në to shihen:
Martini dhe Mario duke ecur krah për krah, të ndjekur nga një grup shokësh, përfshirë edhe Luis Meçaj, miku i Martinit, i cili më pas do të mbetej i plagosur. Grupi futet në një rrugicë pa kamera sigurie – aty ndodhi përplasja fatale. Disa minuta më vonë, shihen duke vrapuar në panik, ndërsa Martini mban me dorë zonën ku ishte goditur me thikë. Pas tij, Mario shihet duke vrapuar me armën ende në dorë, një pamje që ka lënë pa fjalë edhe ndjekësit më të fortë të lajmit.
💔 Një ëndërr e ndërprerë, një komunitet i thyer
Martini ishte vetëm 14 vjeç. I njohur si një djalë i qetë dhe me ëndrra për të ardhmen, ai u bë viktimë e dhunës mes të rinjve, një fenomen që po merr përmasa alarmante.
Familja e tij vazhdon të kërkojë drejtësi, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Mario Përlleshajt vijon, nën vëmendjen e opinionit publik dhe me presion të madh për një vendim të drejtë.
🕯 “Një tragjedi që mund të ishte shmangur…”
Shumë qytetarë, figura publike dhe aktivistë kanë reaguar duke theksuar nevojën urgjente për masa parandaluese në shkolla, kontroll të armëve të ftohta dhe mbështetje psikologjike për të rinjtë.
Tragjedia e Martinit mbetet një thirrje alarmi për gjithë shoqërinë shqiptare.
Pikëpyetjet e çështjes së Martin Canit, video e ditës së ngjarjes
Në momentin që më ra në duar, këtu e një muaj më parë, dosja e Martin Canit me materialet e plota filmike, kisha shumë mëdyshje për publikimin e tyre. Zgjedhjet e 11 majit ma larguan nga mendimet për pak kohë. Kisha dhe kam pikëpyetje nëse po veproj mirë, apo gabim.
Megjithatë, janë disa paqartësi që më “shtyjnë” të publikoj materialet. Veprimet nga ana e Prokurororisë së Tiranës duke dërguar çështjen për gjykim pa një hetim të thelluar, por dhe deklarimet e fëmijëve në seancat me dyer të mbyllura.
Në video, shihen qartë Martini dhe Mario që u prijnë shokëve dhe shkojnë për t’u “sqaruar” te vendi i ngjarjes. Të ndjekur nga miqtë e tyre të identifikuar. Në momentin e bisedës mes tyre, referuar dhe deklarimeve në gjyq, ka qenë një nga djemtë e tjerë, jo Martini, që ka goditur i pari Marion në hundë. Më pas sherri ka agravuar, duke i marrë jetën Martinit dhe duke plagosur Luisin. Tragjedia ka ndodhur në më pak se 1 minutë.
Në pamjet filmike, duke ikur, shihet vetëm një thikë në dorën e Marios dhe Martini që vrapon duke mbajtur dorën në kraharor. Mario më pas kthehet te vendi i krimit, pasi i ka rënë këpuca dhe shkon ta rimarrë, pritet nga dy djem të tjerë që ndodhen aty.
Luisi, shoku i plagosur i Martinit, në seancën gjyqësore u ka treguar gjyqtarëve, por dhe prokurores Alma Felaj, plagët e tij. Ai i qëndron idesë se kanë qenë dy persona që kanë goditur me thikë, duke kërkuar rihetim.
Po ashtu, avokati i Marios, autorit të dyshuar, ka mbështetur deklaratën e Luisit, duke ngritur alibinë se nuk ka qenë ai personi që ka qëlluar Martinin. Ai pranon se ka përdorur thikën, por ka plagosur Luisin. Pra, Luisi dhe Mario, pretendojnë se ka qëlluar me thikë dhe një person i tretë. Pala e Marios pretendon se nuk është ai vrasësi.
Kush është personi i tretë që po mbahet i fshehur nga të gjithë? A ekziston vërtet një person i tretë që ka goditur? Si ka mundësi që dëshmitarët kanë ndryshuar deklarimet në gjyq ndryshe nga përgjigjet që i kanë dhënë prokurores dhe pasi janë rimarrë disa herë në pyetje nga ana e Alma Felajt? Kush është i rrituri që ka goditur me shpullë Martinin ditën e premte, në sherrin që ka pasur me Marion? Kush janë djemtë që kanë pritur Marion dhe shoku që e shoqëroi në spitalin privat, ku shihet me plagë në dorë.
Gjyqtarja Marinela Osmani vendosi rihetimin e ngjarjes, pas dokumentimeve të paplota nga Prokuroria. Deklaratat e dëshmitarëve i gjeti shumë të rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës.
Mario ende nuk ka dëshmuar. Ditën e mërkurë është seanca e radhës, ku është thirrur përpara gjykatës personi i rritur që ka goditur Martinin ditën e premte me shpullë. Ndërkohë që për përgjigjet e tjera nga sherri në shkollë, deri te arritja në spital, duhet të prisni Top Story – Top Channel e së mërkurës.
Posted by Eraldo Harlicaj on Tuesday, June 10, 2025