Një avion i kompanisë Air India, i tipit Boeing 787-8 Dreamliner, me destinacion New Delhi, u detyrua të kthehej urgjentisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut të hënën, vetëm pak minuta pas ngritjes, për shkak të një problemi teknik të dyshuar.
Fluturimi AI315, i cili ishte nisur nga Hong Kongu rreth orës 12:20 pasdite me orën lokale, u ul në mënyrë të sigurt rreth orës 13:15, pasi pilotët raportuan vështirësi teknike dhe kërkuan gatishmëri emergjente në tokë. Autoritetet konfirmuan se asnjë pasagjer nuk u lëndua dhe se operacionet në aeroport nuk u ndikuan nga incidenti.
Në një deklaratë zyrtare, Air India bëri të ditur se kthimi i avionit ishte një masë paraprake, dhe se fluturimi “po i nënshtrohet kontrolleve të shumta teknike.” Avioni në fjalë është 7 vjeçar dhe kishte arritur një lartësi prej 22,000 metrash përpara se të fillonte zbritjen.
Ky është incidenti i dytë brenda pak ditësh që përfshin avionë të së njëjtës linjë ajrore dhe model Boeing. Javën e kaluar, një avion tjetër i Air India që fluturonte drejt Londrës u rrëzua në Ahmedabad, Indi, vetëm pak çaste pas ngritjes, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë me 241 viktima nga 242 persona në bord. Shkaqet e atij aksidenti janë ende në hetim.
Ngjarjet e fundit përbëjnë një sfidë serioze për Air India, e cila ndodhet në një proces të gjerë reformimi të flotës dhe imazhit të saj ndërkombëtar. Ato gjithashtu rikthejnë në qendër të vëmendjes shqetësimet për sigurinë e avionëve Boeing, një kompani që në vitet e fundit është përballur me një sërë krizash që kanë tronditur reputacionin global të prodhuesit amerikan.
As Boeing dhe as Air India nuk kanë komentuar ende publikisht mbi shkaqet teknike të incidentit të fundit në fluturimin Hong Kong – New Delhi.