Detaje të reja tronditëse janë zbuluar në lidhje me ngjarjen tragjike në lumin Arachthos të Artës, Greqi, ku dy fëmijë të mitur, të moshës 13 dhe 14 vjeç, u shpëtuan nga mbytja nga shqiptari Ledian Goga, i cili u hodh në ujë pa hezitim.

    Fatkeqësisht, edhe pse fëmijët u nxorën nga lumi dhe u reanimuan me sukses fillimisht, mjekët kanë konfirmuar se të dy kanë hyrë në gjendje të vdekjes klinike. Sipas raportimeve, i vetmi element që i mban ende në jetë janë pajisjet mjekësore, ndërsa dëmtimi në tru është i pakthyeshëm për shkak të mungesës së gjatë të oksigjenit.

    Përballë kësaj tragjedie, prindërit e dy të miturve kanë marrë një vendim të jashtëzakonshëm dhe të dhimbshëm: të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre për të shpëtuar jetë të tjera.

    Fëmijët u transferuan në një spital në Patra pas ndërhyrjes emergjente, por analizat e mëvonshme treguan se nuk ka më asnjë shpresë për rikuperim. Mjekët kanë arritur vetëm të stabilizojnë funksionimin e mushkërive, ndërsa dëmtimet në tru dhe organet e tjera janë të rënda.

    Ndërkohë, në vendin ku ndodhi ngjarja, miqtë e tyre kanë vendosur lule dhe një letër prekëse me mesazhin:

    “Do t’ju kujtojmë përgjithmonë, ju ikët si heronj. Shoqëria juaj!”