Pas barazimit 0-0 në ndeshjen kundër Shqipërisë, televizioni shtetëror serb RTS ka reaguar me tone zhgënjyese ndaj paraqitjes së kombëtares serbe, duke e cilësuar ndeshjen si të dobët dhe pa ide të qarta në ndërtimin e lojës.

    Në analizën e publikuar menjëherë pas takimit, RTS shkruan:

    “Momente të rralla loje të mirë nuk mjaftuan për të ëmbëlsuar hidhërimin e shkaktuar nga mungesa e ideve.”

    Për mediat serbe, pika e vetme pozitive ishte portieri Gjorgje Petrović, i cili u vlerësua si shpëtimtari i ekipit, veçanërisht për pritjen vendimtare të penalltisë së ekzekutuar nga Manaj në fundin e pjesës së parë, pas një faulli ndaj Elseid Hysajt.

    RTS thekson se Serbia nisi mirë në 10 minutat e para me disa tentativa drejt portës, por më pas kontrolli kaloi në favor të Shqipërisë, që dominoi posedimin në mesfushë dhe mbrojti me disiplinë.

    Gjithashtu, krahu i majtë me Mitrović dhe Terzić u cilësua si zona më premtuese për Serbinë, por pa finalizime konkrete.