Izraeli ka reaguar pas vendimit të Shqipërisë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, një rezolutë e miratuar në Kuvend me 79 vota pro. Vendimi ka marrë vëmendje ndërkombëtare, ndërsa reagimi i parë ka ardhur nga Ministria e Jashtme e Izraelit.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, përmes një postimi në platformën X, ka shprehur vlerësimin e tij për kryeministrin Edi Rama dhe për Kuvendin e Shqipërisë, duke e cilësuar këtë rezolutë si një hap historik.
Ai theksoi se ky vendim përfaqëson një qëndrim të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë dhe një mesazh të fortë kundër terrorizmit.
“E vlerësoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Kuvendin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Sipas fjalëve të rezolutës, terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë”, shkruan Sa’ar në reagimin e tij.
Rezoluta e miratuar në parlamentin shqiptar vjen në një kohë tensionesh të larta në skenën ndërkombëtare dhe pritet të ketë ndikim edhe në marrëdhëniet diplomatike mes vendeve të përfshira.
Ndërkohë, vendimi i Kuvendit është interpretuar nga shumë analistë si një pozicionim i fortë i Shqipërisë në krah të aleatëve të saj perëndimorë në luftën kundër terrorizmit.

