Pas lajmeve të shumta që qarkulluan në media lidhur me shpalljen e tij në kërkim nga autoritetet australiane, aktori Elvis Pupa ka reaguar për herë të parë publikisht, përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale.

    Në reagimin e tij, Pupa mohon kategorikisht akuzat për arratisje apo fshehje.

    Ai sqaron se ndodhet prej më shumë se një muaji në Tiranë, ku po zhvillon aktivitetin e tij profesional, i planifikuar më parë, si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të Europës.

    “Çdo përpjekje për ta paraqitur këtë situatë ndryshe është një manipulim i pastër i informacionit,” – shkruan ai, duke theksuar se lajmet që kanë qarkulluar janë të shtrembëruara dhe me prirje sensacionaliste.

    Në lidhje me bashkëshorten e tij, Belina Pupa, e cila është përballur me një seancë gjyqësore në Australi, ai konfirmon se ajo është e lirë dhe vazhdon punën e saj si zakonisht.

    Ai shpreh besimin se drejtësia do të zbardhë gjithçka në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.