Publikoi pamjet e Parashqevisë si e pastrehë, rrëfehet Blendi Fevziu: “Ja pse e bëra”

Gazetari i njohur Blendi Fevziu ka ndarë një sqarim të detajuar lidhur me arsyet që e shtynë të publikojë pamjet prekëse të Parashqevi Simakut, teksa ajo merrte ndihma si e pastrehë në SHBA.

Në një video të publikuar në Instagramin e tij zyrtar, Fevziu u përgjigj ndaj mesazheve të shumta që ka marrë, ku disa e kanë kritikuar për vendimin e tij.

Ai theksoi se publikimi i pamjeve ishte një vendim i mirëmenduar, duke nënvizuar ndikimin pozitiv që ka pasur në sensibilizimin e publikut dhe ndihmën konkrete që po merr Parashqevia. 

Reagimi i plotë i Blendi Fevziut për Parashqevi Simakun:

Ditët e fundit, pas publikimit të një videoje ku shfaqej Parashqevi Simaku në gjendjen e një të pastrehe duke marrë ndihma, kam marrë me dhjetëra kërkesa nga televizione për të dhënë një intervistë për të folur për të. Natyrisht, nuk e kam bërë dhe nuk kisha pse ta bëja, për një arsye fare të thjeshtë. Unë nuk e kam njohur Parashqevi Simakun personalisht; e kam njohur, si çdo shqiptar në vitet ’80, si një këngëtare të famshme dhe më pas e kam intervistuar në vitin 1995, ku kemi qëndruar rreth një orë e gjysmë.

Më pas, kam pasur informacione të ndryshme për jetën e saj, por ishin vetëm informacione. Pas publikimit të kësaj videoje, kam marrë mesazhe të tipit: “Pse e publikove? Pse e prish imazhin e këngëtares?” Sot, doja të thosha se, falë asaj videoje, këngëtarja u identifikua dhe u bë e ditur se ku ndodhej. Për vite me radhë, shqiptarët kishin kaluar pranë saj, kishin folur me të, i kishin dhënë ndihmë, pa e ditur kush ishte.

Falë kësaj videoje, ajo u identifikua nga një zonjë dhe, më pas, bashkë me dikë tjetër, ata po mundohen ta sjellin atë në një jetë normale. Falë kësaj videoje, ajo nuk është më e pastrehë. Çfarë do të bëjë ajo më pas, është në dorën e Parashqevi Simakut. Një gjë është e sigurt: Falë asaj videoje, Parashqevi Simaku u kthye sot në një jetë normale.”