Pezullohen nga detyra tre policë, u filmuan duke dhun*ar 15-vjeçarin që u kap me pistoletë

Tre efektivë të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra pas publikimit të një videoje ku shfaqeshin duke goditur me grusht një 15-vjeçar gjatë arrestimit sot në Fushë-Mëzez.

Në reagimin e Policisë së Shtetit thuhet se ata kanë shkelur rregulloren, gjatë arrestimit të të miturit i cili u kap duke lëvizur me armë zjarri.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pasi u njoh me një video të publikuar në rrjetin social JOQ, në të cilën shfaqen 3 punonjës policie që shkelin rregulloren e Policisë së Shtetit, gjatë veprimeve operacionale për arrestimin e një 15-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri në Fushë-Mëzez, menjëherë ka pezulluar nga detyra 3 punonjësit e Policisë, konkretisht:

-Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në zbatim të Nenit 121 të Ligjit Nr.82, viti 2024 “Per Policine e Shtetit” ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.