Pas tragjedisë që tronditi mbarë opinionin publik në nëntor të vitit të kaluar, familja e 14-vjeçarit Martin Cani po mundohet të mbajë gjallë kujtimin e tij në një formë simbolike.

    E ftuar në emisionin “Opinion”, nëna e Martinit, Florina Cani, tregoi se në katin e parë të banesës së tyre kanë nisur ndërtimin e një muzeu për të birin. Ajo tha se aty do të vendosen kujtime të ndryshme, fotografi dhe objekte personale të Martinit, në mënyrë që vizitorët të mund ta njohin më mirë djalin e saj dhe të frymëzohen prej jetës dhe karakterit të tij.

    “Po bëjmë një muze në kat të parë të shtëpisë tonë, me të gjitha kujtimet e Martinit. Nëse dikush do të pijë një çaj, kafe, ujë dhe të shohë sa fëmijë inteligjent ka qenë Martini. Nëpërmjet fotove, të gjitha ato cilësi që kishte, kthehet në simbol për fëmijët e tjerë,” – u shpreh ajo me lot në sy.

    Ajo shtoi se ruan me fanatizëm çdo send të Martinit dhe bëri thirrje për mbështetje të çdo kujt që dëshiron të kontribuojë në këtë nismë.

    Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, vetëm pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, kur Martini u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj. Në të njëjtën përplasje mbeti i plagosur dhe miku i Martinit, Luis Meçja.

    Autori i dyshuar i ngjarjes po gjykohet për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave”. Gjykata ka refuzuar kërkesën e avokatit të tij për gjykim të shkurtuar, dhe procesi vijon në mënyrë të rregullt.