Një tërmet me magnitudë 5.8 goditi në orët e para të mëngjesit të sotëm bregdetin jugperëndimor të Turqisë, pranë qytetit turistik të Marmarisit, duke shkaktuar panik të madh në rajon dhe në disa ishuj grekë përreth. Lëkundjet u ndjenë fuqishëm në Rodos dhe Kreta, ku banorët dhe turistët u zgjuan të tronditur dhe dolën jashtë ndërtesave për të kërkuar siguri.

    Sipas autoriteteve turke, një vajzë 14-vjeçare humbi jetën në qytetin Fethiye si pasojë e një sulmi paniku. Ndërkohë, rreth 70 persona u plagosën, shumica prej tyre duke u hedhur nga dritaret ose ballkonet në përpjekje për të shpëtuar nga lëkundjet . 

    Në Greqi, lëkundjet u ndjenë në ishujt Rodos dhe Kretë, ku banorët dhe turistët dolën jashtë ndërtesave për të kërkuar siguri. Autoritetet greke raportuan dëme të lehta në infrastrukturë, si mure të çara në ndërtesa të vjetra, por nuk pati raportime për viktima apo të plagosur .

    Tërmeti ndodhi në një thellësi prej rreth 60 kilometrash, çka ndihmoi në zbutjen e ndikimit në sipërfaqe. Megjithatë, paniku i shkaktuar nga lëkundjet bëri që shumë njerëz të merrnin vendime të rrezikshme për të shpëtuar.

    Autoritetet në Turqi dhe Greqi po vazhdojnë inspektimet në ndërtesa për të garantuar sigurinë publike dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të kujdesshëm për lëkundje pasuese.