Ahmedabad, Indi – Pamje të reja tronditëse janë publikuar nga mediat indiane, duke treguar përpjekjet dramatike të studentëve për të shpëtuar nga një ndërtesë e përfshirë nga flakët, pasi avioni Air India AI171, një Boeing 787 Dreamliner, u përplas mbi një konvikt studenti pranë aeroportit të Ahmedabad.
Në video amatore të regjistruara nga banorët, duken qartë të rinj që varen nga ballkonet dhe zbresin me çarçafë të lidhur në përpjekje për të shpëtuar jetën. Të tjerë ngjiten në pemë për të ndihmuar ata që ishin ende të bllokuar. Skena kaotike me re tymi të dendur pasqyrojnë tmerrin që përfshiu zonën menjëherë pas përplasjes.
Sipas autoriteteve lokale, tragjedia ndodhi vetëm pak sekonda pas ngritjes së avionit me destinacion Londrën, duke lënë pas 241 viktima në bord, përfshirë pilotët dhe ekuipazhin. Numri total i të vdekurve është rritur në rreth 280, pasi përplasja përfshiu edhe banorë të zonës së populluar pranë aeroportit.
Ndërtesa e prekur ishte një konvikt për studentët e një kolegji mjekësor, të cilët u gjendën në rrezik të menjëhershëm nga përhapja e flakëve pas përplasjes.
I vetmi i mbijetuar nga avioni është Vishwash Kumar Ramesh, një shtetas britanik që u nxor nga rrënojat me lëndime të rënda. Mjekët kanë deklaruar se gjendja e tij po përmirësohet.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit, ndërsa vendi është në zi kombëtare për këtë humbje të rëndë.