Një tjetër detaj tronditës ka dalë në dritë lidhur me vdekjen e 25-vjeçares Xhuana Nikolli, e cila humbi jetën pasi dyshohet se konsumoi fotoksinë.

Sipas burimeve, e reja kishte lënë pas një letër para se t’i jepte fund jetës, ku kishte shprehur dhimbjen dhe vuajtjen që po përjetonte. Në letër, ajo dyshohet të ketë shkruar:

“Nuk doja më që ata njerëz që më kanë bërë keq të vazhdonin të më lëndonin.”

Në fund të mesazhit, 25-vjeçarja thuhet se u kishte kërkuar falje prindërve për vendimin e rëndë që kishte marrë. Ajo ndërroi jetë një ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi u transportua në gjendje të rëndë pas dyshimeve për vetëhelmim.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa familjarët e saj kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 2 në Tiranë ndaj ish-bashkëshortit të saj, Eraldo Fizi, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Sipas familjarëve, 25-vjeçarja kishte qenë vazhdimisht viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti. Ata pretendojnë se dhuna ndaj saj kishte qenë e përsëritur dhe e rëndë.

Pas ngjarjes, autoritetet kanë kryer edhe këqyrjen e trupit të pajetë, ku gjatë ekzaminimit mjeko-ligjor janë konstatuar shenja të forta dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah.

Të afërmit kanë deklaruar gjithashtu se Eraldo Fizi ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 shkurt, ditë kur kishte takuar ish-bashkëshorten e tij. Çifti ishte divorcuar vetëm tre muaj pas martesës së tyre, e cila ishte celebruar në qershor të vitit 2025.

Sipas dyshimeve të familjarëve, gjatë këtij takimi ai mund të ketë ushtruar dhunë ndaj 25-vjeçares. Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.