14 qershor 2025 – Ahmedabad/Londër
Pamje të reja të publikuara në rrjet kanë ngritur dyshime të reja mbi shkaqet e rrëzimit tragjik të fluturimit Air India AI171, ku humbën jetën 241 nga 242 pasagjerë në bord. Videoja tregon një objekt që fluturon në ajër pak sekonda përpara përplasjes, duke shtuar spekulimet se mund të jetë fjala për derën emergjente pranë sediljes së të mbijetuarit të vetëm, britanikut Vishwash Kumar Ramesh.
Sipas raportimeve, Vishwash – i cili ishte ulur në sediljen 11A – ka deklaruar se dera pranë tij është shkëputur në çastet e fundit, kur avioni goditi një godinë pranë pistës. Ai po ashtu pranoi se kishte hequr rripin e sigurimit vetëm pak sekonda para përplasjes, çka mund të ketë shpëtuar jetën e tij.
Avioni ishte nisur nga Ahmedabad me destinacion Londrën (Gatwick) dhe aksidenti ndodhi pak minuta pas ngritjes. Fluturakja, një Boeing 787, u përplas me një ndërtesë përpara se të shpërthente në flakë.
Derimë tani është gjetur një nga dy kutitë e zeza, ndërsa hetuesit po analizojnë të dhënat për të përcaktuar me saktësi shkaqet e tragjedisë. Air India ka ngritur qendra asistence për familjarët në aeroportet e Gatwick, Mumbai, Delhi dhe Ahmedabad.
Ekspertët po hetojnë edhe mundësinë e një përplasjeje me zogj, skenar i përmendur nga kapiteni i Forcave Ajrore Indiane, Ehsan Khalid, i cili tha se ky rrezik është i njohur në aeroporte të ngarkuara. Ai theksoi se avioni mund të ketë pësuar dëmtime kritike në sistemet e fuqisë apo instrumenteve të fluturimit.
“Kjo krijon një situatë që është jashtë çdo manuali për pilotin,” – u shpreh Khalid për NDTV.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse dera emergjente u shkëput për shkak të një defekti strukturor, përplasjes, apo faktorëve të tjerë mekanikë apo mjedisorë.
Ky është një nga aksidentet më të rënda ajrore në historinë e aviacionit civil indian dhe hetimet pritet të përqendrohen në tre drejtime kryesore: mekanik, operativ dhe ambiental.