Pas barazimit 0-0 mes Shqipërisë dhe Serbisë në stadiumin “Air Albania”, mediat shtetërore dhe tabloidët serbë kanë shpërthyer me tone dramatike, duke e përshkruar atmosferën në Tiranë si “terror” dhe duke akuzuar për një mjedis armiqësor ndaj lojtarëve të tyre.
Gazetat si “Kurir” dhe “Blic” kanë publikuar tituj të ashpër si “Lojtarët mezi dolën gjallë” dhe “Terror në Tiranë”, duke pretenduar se disa prej futbollistëve serbë janë sulmuar apo provokuar rëndë gjatë gjithë ndeshjes. Madje, raportimet e tyre shkojnë deri aty sa të përshkruajnë stadiumin si një vend ku “mbizotëronte urrejtja”.
Në artikujt përkatës përmendet edhe formimi i shqiponjës dykrenare nga tifozët shqiptarë, një gjest i zakonshëm simbolik, të cilin media serbe e quan provokues.
🗣️ Stojković shuan dramën: “Ishte atmosferë e mirë”
Në kontrast të plotë me narrativën e mediave të vendit të tij, trajneri i Serbisë, Dragan Stojković, e ka quajtur atmosferën në Tiranë sportive dhe pa probleme.
“Nuk e kuptoj pse dramatizohet. Atmosfera ishte shumë e mirë. Kishte pasion, kishte presion, por ishte futboll,” – u shpreh ai pas ndeshjes.
📌 Kujtesë historike
Ironikisht, vetë Serbia është përballur në të kaluarën me kritika ndërkombëtare për incidentin e rëndë në Beograd në vitin 2014, ku një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes dhe përplasje fizike ndaj lojtarëve shqiptarë. Mediat serbe, në vend që të kujtojnë këtë ngjarje si një paralajmërim për vetëkontroll, zgjedhin të viktimizohen edhe kur ndeshja përfundon pa incidente të rënda.