Në seancën më të fundit gjyqësore për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, e zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Tiranës, dëshmuan pesë të mitur që kishin dijeni për ngjarjen tragjike. Ndër ta ishte edhe i mituri K.B., i cili ndodhej në vendin e ngjarjes dhe për të cilin familjarët e viktimës kanë ngritur dyshime dhe pretendime .
Dëshmitë e të miturve u morën pa praninë e të pandehurit Mario Përlleshaj, në përputhje me procedurat ligjore për të miturit. Përlleshaj, përmes mbrojtësit të tij ligjor, vijon të mohojë se ka qëlluar drejt viktimës, duke deklaruar se objektivi i tij ka qenë Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur në të njëjtin incident .
Në seancën e ardhshme, pritet të dëshmojnë edhe shtatë persona të tjerë, nga të cilët katër janë të mitur. Edhe ata do të paraqiten në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen, teksa hetimet dhe procesi gjyqësor vijojnë të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të vrasjes së të miturit .
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, kur pas një konflikti mes të miturve, Mario Përlleshaj dyshohet se ka qëlluar me thikë Martin Canin, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Në të njëjtin incident, u plagos edhe Luis Meçe, shoku i ngushtë i viktimës .