Një mbrëmje dramatike për sportistin shqiptar të MMA-së, Arijan Topallaj, i cili humbi ndjenjat gjatë përballjes së zhvilluar të shtunën në kuadër të eventit “Oktagon”, në arenën BMW Park.
Përballë tij ishte irlandezi Denis Frimpong, i cili e mposhti me “nokaut teknik” në raundin e tretë, vetëm 44 sekonda pas rifillimit të raundit.
Topallaj, i njohur për rezistencën dhe shpirtin luftarak, përfundoi i shtrirë në tokë dhe u largua nga arena me barrelë, për t’u dërguar menjëherë në spital. Sipas të dhënave paraprake, gjendja e tij nuk është serioze, megjithatë, për shkak të goditjeve në kokë, po mbahet nën kujdes të veçantë mjekësor.
Nga ana tjetër, Frimpong, 30-vjeçari nga Dublini, shfaqi një paraqitje të fuqishme në fundin e ndeshjes, duke përfituar nga lodhja fizike e kundërshtarit. Me një total prej 100 goditjesh, 47 më shumë se rivali shqiptar, ai arriti të marrë kontrollin total në raundin final dhe të fitojë admirimin e publikut.
Pas fitores, Frimpong shpërtheu në lot, duke ndarë emocionet e forta:
“Ai tha që nuk kisha zemër, por unë tregova më shumë se kaq. Rrezikova të humb lindjen e fëmijës tim, por gruaja më dha forcë. E gjithë kjo ishte për të,” – u shpreh ai mes emocionit.
Për Frimpong, kjo fitore është më shumë se një sukses sportiv – është një mesazh personal dhe një dedikim për familjen. Ndërsa për Topallajn, ky moment mbetet një nga më të vështirët në karrierë, por dhe një kujtesë për rreziqet që mbart ky sport ekstrem.