Luiz Ejlli ka zgjedhur një mënyrë unike për t’i dhënë fund thashethemeve të fundit që qarkulluan në rrjete sociale, se Kiara Tito është sërish shtatzënë.

    Ai publikoi një videoklip parodi me stil folklorik, ku përmes humorit dhe autoironisë, mohoi hapur pritjen e një fëmije të dytë në familjen Ejlli-Tito.

    Videoja ku Luizi shfaqet me Kiarën dhe vogëlushen Luna Mari mori vëmendje të madhe dhe u shpërnda gjerësisht online.

    Por menjëherë pas publikimit të klipit, kanë nisur edhe reagimet nga komuniteti i muzikës folklorike.

    Kompozitori Driton Fazliu reagoi publikisht në Facebook, duke theksuar se melodia dhe orkestrimi i përdorur në videon e Luizit janë marrë nga një këngë e mëhershme, për të cilën autor i melodisë është Milaim Mezini, ndërsa orkestrimi është bërë nga M&D Studio – përkatësisht Muhamet Selimi dhe vetë Fazliu. Ai shprehu keqardhje që në videon e Luizit nuk u përmendën krijuesit origjinalë të projektit.

    “Traditat tona ruhen vetëm nëse kultivohen siç duhet, dhe kjo përfshin edhe respektin ndaj autorëve. Do të kishte qenë më e drejtë që të paktën të përmendej burimi i melodisë dhe orkestrimit,” shkroi Fazliu në postimin e tij.