Një aksident ajror tragjik ka tronditur Indinë ditën e djeshme, kur një avion i linjës “Air India” që udhëtonte nga Ahmedabad drejt Londrës u rrëzua vetëm pak sekonda pas ngritjes, duke shkaktuar të paktën 265 viktima, mes tyre edhe banorë në tokë.

    I vetmi i mbijetuar, 40-vjeçari Vishwash Kumar Ramesh, një britanik me origjinë indiane, ka rrëfyer momentet dramatike të përplasjes:

    “Pas 5-10 sekondash në ajër, avioni sikur u ngrirë. Dritat filluan të fikeshin dhe pastaj goditëm një godinë. Pashë njerëz duke vdekur para syve të mi…”

    Avioni u përplas me një konvikt studentësh të mjekësisë, duke shkaktuar edhe viktima në tokë. Vishwash, i cili ishte ulur pranë një daljeje emergjence, thotë se arriti të dilte nga rrënojat përpara se zjarri të përfshinte avionin.

    Vëllai i tij, Ajay, i cili ndodhej po ashtu në avion, ende rezulton i zhdukur.

    Pamjet nga vizita e Kryeministrit Narendra Modi në spital, ku takoi të mbijetuarin e vetëm, janë publikuar zyrtarisht.

    Ndërkohë, hetimet vazhdojnë. Njëra prej kutive të zeza është gjetur, ndërsa kutia tjetër ende kërkohet. Ato pritet të zbardhin shkaqet e tragjedisë.

    Shtohen dyshimet mbi gjendjen teknike të avionit, pasi vetëm dy orë para aksidentit, një pasagjer kishte postuar një video shqetësuese, ku pohonte se “asgjë nuk funksiononte në bord.”