Në një akt guximi që ka prekur thellë opinionin publik në Greqi dhe Shqipëri, një emigrant shqiptar, Goga Levian, ka hyrë në ujërat e rrëmbyeshme të lumit Arakhtos për të shpëtuar dy fëmijë që rrezikonin të mbyteshin.
Ngjarja e ndodhur në Neohori të Artës tronditi banorët vendas, ndërsa dëshmitarët tregojnë se fëmijët ishin marrë nga rrjedha e fortë e lumit dhe po luftonin për jetën. Pikërisht në ato momente dramatike, Goga, pa hezituar asnjë çast, u hodh në ujë për t’i shpëtuar.
Pas disa përpjekjesh të rrezikshme, ai arriti të nxirrte njërin prej fëmijëve nga thellësia, i cili ndodhej pa ndjenja. Veprimi i tij i guximshëm ka marrë vlerësimin maksimal nga autoritetet greke, të cilat kanë vendosur t’i japin shtetësinë greke si shenjë mirënjohjeje për trimërinë dhe humanizmin që tregoi.
Në një deklaratë për mediat greke, Goga u shpreh me modesti:
“Vetëm për fëmijët mendoja. Njëri prej tyre është në moshën e vajzës sime. S’kishte rëndësi kush ishin, çfarë kombësie apo feje. Jam një i huaj, por mbi të gjitha jam njeri. Bëra atë që do të bënte çdo prind.”
Ky akt i jashtëzakonshëm është përmendur nga mediat si shembull i rrallë humanizmi dhe solidariteti, duke treguar se heroizmi nuk njeh kombësi.