Resart Kelmendi, i njohur si Gjesti, ka thyer më në fund heshtjen që e shoqëroi pas përfundimit të “Big Brother VIP Albania 4”, duke adresuar për herë të parë publikisht marrëdhënien e tij me këngëtaren Egli Tako. 

    Gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Gjesti dhe Egli krijuan një lidhje të afërt që u shoqërua me momente të ngrohta dhe emocionale, përfshirë puthje dhe përqafime që u komentuan gjerësisht nga publiku. Pas daljes nga spektakli, thashethemet për një ndarje mes tyre u shtuan, duke lënë fansat në pritje të një reagimi zyrtar. 

    Së fundmi, Gjesti ka publikuar këngën e tij më të re me titull “Veshu ndreq”, e cila ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për melodinë, por edhe për tekstin me mesazhe personale. Në një nga vargjet, ai këndon: “Kush ka thënë që bashkë nuk jena mo?”, një frazë që është interpretuar nga ndjekësit si një konfirmim i vazhdimësisë së lidhjes me Eglin. 

    Ky veprim i Gjestit është parë si një mënyrë për të sqaruar statusin e marrëdhënies së tyre, duke lënë të kuptohet se, pavarësisht zërave dhe spekulimeve, lidhja me Eglin vazhdon edhe jashtë shtëpisë së BBVA.

    Ndërkohë, Egli nuk ka bërë ende një deklaratë publike mbi këtë çështje, duke shtuar më tej kuriozitetin e publikut për të ardhmen e kësaj romance që ka mbajtur të mbërthyer vëmendjen e fansave.