Në festivalin më të madh të muzikës europiane, Eurovision Song Contest, Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga dyshja “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”.
Pas një performancë të fuqishme në gjysmëfinale, ata kanë kaluar me sukses në natën finale të 17 majit, ku do të performojnë përsëri në mbrëmje.
Kënga “Zjerm” është renditur nga CNN si një nga pretendentet kryesore për të fituar, dhe nga shumë ekspertë e tifozë shikohet si një nga surprizat më të bukura të këtij edicioni.
Pak minuta pas provës së fundit skenike para finales së sotme, një gazetar ndërkombëtar, i mahnitur, i tha kolegut të tij:
“E dëgjove Shqipërinë? Çfarë klasi që kanë. E meritojnë të jenë të paktën në treshen fituese.”
Nga organizatorët e Eurovision-it, Shqipëria është zgjedhur të jetë kënga e fundit në renditjen e performancave, me numrin 26. Një vend jo fort i zakonshëm, por që sipas Christer Björkman, një prej producentëve më të njohur të festivalit, përfaqëson me klasë të lartë muzikën që duan të shfaqin:
“Është një vendim i veçantë që Shqipërinë ta lëmë për mbyllje. San Marino është më shumë argëtim me ritme që të bëjnë të kërcesh, ndërsa Shqipëria sjell diçka me klas, talent dhe zgjuarsi. Kjo është një këngë e bukur dhe e veçantë, që meriton të mbyllë festivalin.”
Edhe pse shpesh diskutohet se këngët që performojnë në fund nuk kanë shumë shanse për të fituar, historia e Eurovision-it tregon të kundërtën. Fituesit e fundit si Italia me Maneskin (2021) dhe Ukraina me Jamalën (2016) ishin gjithashtu në pjesën e fundit të renditjes, duke thyer stereotipet.
Sot në mbrëmje, të gjithë sytë janë nga “Shkodra Elektronike” dhe “Zjerm”, kënga që po thotë një histori shqiptare me emocion, klas dhe prekje artistike që po frymëzon Evropën.