Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, teksa një breshëri raketash iraniane goditi në orët e para të mëngjesit të së hënës qytetet Tel Aviv dhe Haifa, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale të konsiderueshme.

    Mes objektivave të goditura rezulton të jetë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tel Aviv, e cila, sipas ambasadorit amerikan Mike Huckabee, ka pësuar dëmtime të lehta, por nuk raportohet për të lënduar nga stafi diplomatik.

    Sipas autoriteteve izraelite, tre civilë kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, ndërsa 700,000 shtetas amerikanë në Izrael janë paralajmëruar të qëndrojnë në strehime të sigurta.

    Presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë përmes një deklarate në platformën Truth Social, duke paralajmëruar Teheranin me tone të rënda:

    “Nëse ne sulmohemi në çfarëdo forme nga Irani, fuqia e plotë e ushtrisë amerikane do të bjerë mbi ta në një shkallë që bota nuk e ka parë më parë.”

    Në një zhvillim që shton më tej shqetësimet globale, zyrtari i lartë iranian Mohsen Rezaee deklaroi për mediat shtetërore iraniane se Teherani po punon për të formuar një “Ushtri Islamike”, me përfshirjen e Turqisë, Arabisë Saudite, Pakistanit dhe vendeve të tjera myslimane, me qëllim – sipas tij – “çrrënjosjen e regjimit zionist”.

    “Do ta bëjmë Izraelin të pabanueshëm,” – u shpreh Rezaee, duke pretenduar gjithashtu se 224 shtetas iranianë janë vrarë dhe më shumë se 1,200 janë plagosur që nga fillimi i operacioneve ajrore izraelite të premten.

    Situata mbetet tepër e tensionuar, me rrezikun që përplasja të shtrihet përtej kufijve të rajonit, duke përfshirë forca të tjera ndërkombëtare në një përballje të paprecedentë.