“Albanian Post” ka publikuar rezultatet paraprake të Exit Poll-it për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, duke dhënë një pasqyrë të ndarjes së pritshme të mandateve në Kuvend.
Sipas këtij projekti, Partia Socialiste pritet të sigurojë 79 mandate, me 51.8% të votave në rang kombëtar, duke siguruar shumicën për të qeverisur e vetme.
Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore renditet i dyti me 38% të votave, që përkthehen në 54 mandate parlamentare.
Ndërkohë, Partia Socialdemokrate pritet të ruajë 3 mandate, me një mbështetje prej 2.2% në rang vendi.

Partia Mundësia e Agron Shehajt, me 3.6% të votave, arrin të sigurojë 2 mandate, për shkak të përqendrimit të votës kryesisht në Tiranë.
Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit rezulton me 1 mandat, po ashtu në Tiranë, megjithëse Qori personalisht nuk arrin të sigurojë vend në Parlament.
Lulzim Basha, me një përqindje prej 1.4% në rang kombëtar, arrin të sigurojë një mandat personal.
Ndërkohë, koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, i drejtuar nga Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani, rezulton me 1.8% të votave, por nuk siguron mandat në këtë fazë paraprake.
Rezultatet përfundimtare do të qartësohen pas përfundimit të numërimit zyrtar të votave.