Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Rumani, ku moderatorja 23-vjeçare Teodora Markou, shtatzënë në javën e 26-të, u vra me armë zjarri nga ish-partneri i saj, Robert Lupu, 49 vjeç. Krimi ndodhi në prani të vajzës së vogël të viktimës, gjatë një feste për fëmijë.
Sipas mediave vendase, autori e ndoqi viktimën deri te vendi i ngjarjes dhe e qëlloi katër herë në gjoks dhe bark, përpara se të largohej me qetësi. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin e sulmit dhe largimin e autorit nga skena.
Teodora Markou ishte një figurë e njohur në Rumani pas pjesëmarrjes në formatin televiziv “Love Island”. Ajo kishte vendosur një urdhër-mbrojtjeje kundër Lupu-t që në vitin 2021, por kjo nuk mjaftoi për ta parandaluar tragjedinë. Pas ngjarjes, autori u lokalizua nga policia në një kompleks banimi, ku, i rrethuar nga forcat e rendit, zgjodhi t’i japë fund jetës duke qëlluar veten me armë.
Në dëshmi të mëparshme, Markou kishte rrëfyer për marrëdhënien me Robert Lupu, e cila kishte nisur kur ajo ishte 14 vjeçe dhe ai 40. Ajo kishte deklaruar se u largua nga ai kur mësoi se Lupu kishte ende lidhje me ish-bashkëshorten.