Beteja për audiencën mes Big Brother VIP Albania dhe Ferma VIP ka arritur kulmin mbrëmjen e sotme, duke kthyer ekranin në një “duel” të vërtetë për vëmendjen e publikut.

    Siç ishte paralajmëruar, produksioni i BBVA kishte organizuar dasmën e shumëpritur mes Mateos dhe Brikenës, një lëvizje e qartë strategjike për të mbajtur sa më shumë shikues në të njëjtin orar me spektaklin rival.

    Në momentin më kulminant të ceremonisë, pikërisht gjatë puthjes së çiftit, transmetimi live në YouTube arriti rreth 220 mijë shikues në kohë reale, një shifër që tregon interesin e madh për këtë ngjarje.

    Por surpriza erdhi nga ana tjetër. Në një moment pothuajse paralel, Arbana Osmani kishte kaluar në reklamë në “Ferma VIP”, çka normalisht pritej të ulte shikueshmërinë.

    Megjithatë, ndodhi e kundërta: edhe gjatë hapësirës publicitare, “Ferma VIP” arriti të mbledhë mbi 241 mijë shikues live, duke kaluar BBVA në një moment kyç.

    Ky rezultat ka habitur publikun dhe është shpërndarë menjëherë në rrjet, duke ndezur diskutime të shumta mbi garën e fortë mes dy formateve dhe strategjitë që po përdoren për të fituar audiencën.