Një deklaratë e bërë gjatë spektaklit “Ferma VIP” nga moderatorja Arbana Osmani ka shkaktuar një valë të gjerë reagimesh në opinionin publik.

Gjatë një bisede me banorin Akil Varfi, ajo përdori shprehjen:

“ke marrë pak si pushka e jevgut”, e cila u konsiderua nga shumë si fyese dhe me konotacion diskriminues.

Reagimet nuk kanë munguar, ku disa organizata për të drejtat e njeriut, përfshirë Lëvizjen Rinore Egjiptiane dhe Rome, kanë dënuar përdorimin e kësaj gjuhe, duke theksuar se edhe kur përdoren pa qëllim të drejtpërdrejtë, shprehje të tilla forcojnë stereotipet dhe paragjykimet.

Në deklaratën e tyre thuhet se:

“këto shprehje cenojnë dinjitetin e komuniteteve dhe nuk duhet të normalizohen në diskursin publik.”

Organizata ka bërë të ditur gjithashtu se shumë anëtarë të komunitetit janë ndjerë të ofenduar dhe kanë kërkuar një ndjesë të qartë publike, duke shtuar se reagimi i deritanishëm i moderatores nuk është konsideruar i mjaftueshëm.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Qendra për Advokim Social, si dhe organizata të tjera, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga figurat publike në përdorimin e gjuhës.

Reagime ka pasur edhe në nivel institucional.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka dënuar përdorimin e gjuhës me stereotipe racore, duke theksuar se media ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në promovimin e mesazheve gjithëpërfshirëse.

Në deklaratën e tij thuhet se:

përdorimi i gjuhës së papërshtatshme në transmetim mund të përhapet në rrjete sociale dhe të dëmtojë individët dhe komunitetet.

Komisioneri u ka bërë thirrje gjithashtu produksionit dhe televizionit që të marrin masa konkrete për parandalimin e situatave të tilla në të ardhmen.

Debati vijon të mbetet i ndezur, ndërsa publiku pret zhvillimet e mëtejshme dhe një reagim më të plotë nga ana e moderatores.