Një incident i rëndë ka ndodhur në aeroportin LaGuardia në New York, ku një avion pasagjerësh është përplasur me një mjet zjarrfikës gjatë lëvizjes në pistë.
Sipas informacioneve, bëhet fjalë për një avion të Air Canada Express, i cili po lëvizte drejt portës së parkimit në momentin e përplasjes.
Në pamjet që po qarkullojnë në rrjet, shihet qartë momenti kur avioni godet zjarrfikësen, ndërsa dyshohet se kushtet e vështira atmosferike mund të kenë ndikuar në incident.
Avioni i përfshirë në aksident ishte i tipit Bombardier CRJ-900 (fluturimi AC8646), i ardhur nga Montreal.
Në bord ndodheshin rreth 72 pasagjerë, ndërsa raportimet paraprake bëjnë të ditur se përplasja ka rezultuar fatale për dy pilotët, si dhe janë plagosur edhe dy efektivë të zjarrfikëses.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit.
Pamjet e publikuara tregojnë rrezikun e madh që paraqesin operacionet në pistë, sidomos në kushte të pafavorshme moti, ndërsa pritet një raport zyrtar për këtë incident të rëndë.

