Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, është liruar sot nga paraburgimi, vetëm një javë pas arrestimit të tij në Prishtinë.
Artisti ishte arrestuar nën dyshimin për “armëmbajtje pa leje”, ndërsa fillimisht u mbajt për 48 orë në ndalim. Më pas, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej një muaji.
Sipas hetimeve, Gjesti dyshohej për disa vepra penale, përfshirë “Kanosje”, “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë” si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”, çka e vendosi në qendër të vëmendjes publike dhe mediatike.
Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë sjellë një kthesë në këtë çështje. Burime bëjnë me dije se pas një jave qëndrimi në paraburgim, ndaj tij është ndryshuar masa e sigurisë, duke u liruar për t’u mbrojtur në gjendje të lirë.
Ndërkohë, procedurat ligjore ndaj tij nuk janë mbyllur, pasi rasti pritet të vijojë në organet e drejtësisë, ku do të shqyrtohen më tej akuzat ndaj këngëtarit.

