Një bisedë e sinqertë dhe mjaft e komentuar është zhvilluar mes Brikenës dhe Mateos në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Dy banorët kanë diskutuar për raportin e tyre dhe për mënyrën se si po perceptohet nga publiku.

Gjatë bisedës, Brikena u shpreh qartë se nuk dëshiron të bëjë asgjë për show apo për të fituar vota, duke theksuar se nuk do ta përdorë afërsinë me Mateon për shkak të nominimit. Ajo i tha se dëshiron të qëndrojë vetvetja dhe që publiku ta mbajë në shtëpi për atë që është si person. 

Madje, Brikena i tha Mateos se do të donte t’i shijonte ditët që kanë mbetur në shtëpi ashtu si deri tani, pa e ekzagjeruar raportin mes tyre vetëm për lojë. Në të njëjtën kohë ajo bëri një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve: nëse del nga shtëpia, do ta presë jashtë për ta njohur më mirë. 

“Unë edhe me dalë jashtë të kam thënë se të pres jashtë, sepse dua me të njohur si person. Kam një pëlqim për ty, por nuk dua të bëj gjëra për nominim,” u shpreh Brikena gjatë bisedës. 

Nga ana tjetër, Mateo e vlerësoi këtë qëndrim të saj dhe theksoi se e respekton faktin që ajo nuk po e përdor raportin e tyre për famë apo për lojë brenda shtëpisë.

Biseda e tyre është bërë menjëherë virale në rrjetet sociale, ku fansat po diskutojnë nëse raporti mes Brikenës dhe Mateos do të vazhdojë edhe jashtë shtëpisë së Big Brother VIP Albania.