Detaje të tjera tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me arrestimin e artistit kosovar Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin e artit Gjesti.

Sipas raportimeve, incidenti që çoi në ndalimin e tij ka ndodhur në Prishtinë, ku artisti dyshohet se ka shkuar te një biznes me armë në dorë, duke kërkuar pronarin dhe duke e kërcënuar me fjalët: “Ku është se do ta vras?”. Gjatë momentit të tensionuar, ai dyshohet se ka thyer edhe xhamat e biznesit, duke shkaktuar panik në vendngjarje.

Pas raportimit të rastit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe ka bërë ndalimin e këngëtarit. Sipas autoriteteve, ai është arrestuar nën dyshimin për armëmbajtje pa leje, ndërsa arma është sekuestruar si provë materiale. 

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi” në Prishtinë, ku i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe është vendosur në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit. 

Ndërkohë, hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin plotësisht motivet e konfliktit dhe rrethanat që çuan në incidentin që përfundoi me arrestimin e artistit.