Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin e artistit kosovar Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, ndërsa Prokuroria në Prishtinë ka reaguar zyrtarisht për rastin.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, këngëtari është ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se ka kryer disa vepra penale. Autoritetet bëjnë me dije se ndaj tij rëndojnë dyshimet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe për kanosje dhe dëmtim të pasurisë. 

Në komunikatën zyrtare thuhet se ndalimi është bërë me urdhër të prokurorit kujdestar dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, e cila ka ndërhyrë për të sqaruar rrethanat e incidentit ku dyshohet të jetë përfshirë artisti.

Prokuroria ka theksuar se hetimet janë ende në një fazë të hershme, ndaj për momentin nuk janë dhënë shumë detaje të tjera për ngjarjen. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të ndërmerren të gjitha veprimet procedurale për të vendosur mbi masat e mëtejshme ndaj këngëtarit. 

Ndërkohë, lajmi për ndalimin e Gjestit ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi ai është një nga artistët më të njohur të skenës muzikore kosovare. Fansat po presin zhvillimet e radhës për të mësuar se çfarë do të ndodhë me çështjen e tij dhe nëse ndaj tij do të ngrihen akuza zyrtare.