Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë, ku reperi i njohur Mossi (emri i vërtetë Gramos Krasniqi) është arrestuar nga policia e Kosovës pas një sulmi fizik ndaj gazetarit Burim Pacolli.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi disa ditë më parë, kur gazetari u sulmua nga Mossi së bashku me dy persona të tjerë. Të tre janë vënë në pranga nga autoritetet. Ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një videoje të publikuar nga Pacolli në rrjetet sociale, ku ai analizonte disa nga “diss”-et më të forta në rap-in shqiptar gjatë një emisioni të moderuar nga Meriton Mjekiqi. Në atë video ishte përmendur edhe reperi Buta, i cili prej kohësh ka rivalitet artistik me Mossin.
Së fundmi janë publikuar edhe pamjet e momentit të dhunës, ku shihet Mossi së bashku me dy persona të tjerë duke sulmuar gazetarin. Videoja ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe ka shkaktuar reagime të shumta.
Pas incidentit, Mossi reagoi në rrjetet sociale duke pretenduar se konflikti kishte nisur pasi gazetari kishte refuzuar një intervistë me të dhe më pas kishte bërë komente kritike për muzikën e tij. Ai shkroi se kritikat ndaj projekteve të tij ishin personale dhe të padrejta, duke shtuar:
“Duhet t’i japësh kohë ose edhe një vit tjetrit që ta kritikosh përsëri, jo çdo projekt ende pa dalë mirë.”
Megjithatë, gazetari Pacolli e ka mohuar këtë version, duke deklaruar se konflikti nuk kishte lidhje me refuzimin e një interviste. Situata u përshkallëzua edhe më tej kur Mossi publikoi mesazhe kërcënuese në rrjet, duke shkruar “dua gjak e mish” dhe duke i kërkuar gazetarit të fshinte postimin brenda pak minutash.
Pas arrestimit të reperit, çështja tashmë pritet të trajtohet nga organet e drejtësisë në Kosovë, të cilat do të vendosin për masat ligjore ndaj tij dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë sulm.
